Në Bratislavë, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani u takua me ministrin shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ku të dyja palët riafirmuan partneritetin e fortë strategjik mes dy vendeve. Diskutimet u fokusuan te marrëdhëniet dypalëshe, integrimi europian, bashkëpunimi rajonal dhe qëndrimet e përbashkëta mbi çështjet ndërkombëtare.
Zyrtarët vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit në fusha si mbrojtja, energjia, siguria, ndërlidhja infrastrukturore, tregtia, kultura dhe dialogu politik.
Të dy vendet ritheksuan gjithashtu angazhimin e përbashkët për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.
Përfaqësuesi shqiptar shprehu mirënjohje për mbështetjen afatgjatë të Italisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar Romën si një nga mbështetëset më të forta të vendit brenda BE-së. Takimi përfundoi me dakordësi për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe vijimin e dialogut politik të nivelit të lartë në muajt në vijim, përfshirë edhe një vizitë të planifikuar në Romë.

