Nisma synon të testojë përdorimin e kësaj forme të re të monedhës digjitale në transaksionet e përditshme, përfshirë pagesat në dyqane dhe në internet. Anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, njoftoi planet për fazën e testimit dhe u bëri thirrje institucioneve evropiane të përshpejtojnë miratimin e kuadrit të nevojshëm ligjor.
Në programin pilot do të përfshihen punonjës të Eurosistemit, banka të përzgjedhura dhe ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave, si dhe tregtarë pjesëmarrës. Testimi do të përfshijë pagesat në dyqanet me pakicë, mensat e bankave qendrore dhe platformat online, duke i mundësuar BQE-së të vlerësojë funksionimin teknik, sigurinë dhe përdorshmërinë praktike të sistemit. Banka qendrore ka përzgjedhur tashmë 36 ofrues të shërbimeve të pagesave nga më shumë se 50 aplikantë, ndërsa emrat e tregtarëve online dhe atyre që ofrojnë shërbime përmes pajisjeve celulare, të cilët pritet të marrin pjesë, do të shpallen në fillim të vitit 2027.
Megjithatë, versioni pilot nuk do të ketë statusin e mjetit ligjor të pagesës dhe nuk do të nënkuptojë hedhjen e euros digjitale në përdorim publik. Ai është konceptuar si një fazë testimi e kontrolluar përpara një lançimi të mundshëm në të ardhmen. BQE ka theksuar se vendimi për emetimin e monedhës digjitale mund të merret vetëm pasi Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së të miratojnë legjislacionin përkatës.
Cipollone paralajmëroi se vonesat në miratimin e kuadrit ligjor mund të shtyjnë të gjithë procesin dhe të vonojnë futjen e mundshme të euros digjitale. Projekti synon t'u ofrojë qytetarëve evropianë një formë elektronike të parasë së bankës qendrore, e cila do të përdoret krahas parasë fizike dhe jo të zëvendësojë kartëmonedhat dhe monedhat metalike. Nëse procesi legjislativ përfundon sipas afateve të planifikuara, BQE synon të jetë gati për një emetim të parë të mundshëm në vitin 2029.


