Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (EIB) ka njoftuar një paketë të re financimi për Shqipërinë, përfshirë një marrëveshje prej 20 milionë eurosh që synon të mbështesë bizneset e vogla, inovacionin, digjitalizimin dhe prodhimin e gjelbër në vend.
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Tiranë, Presidentja e Grupit EIB, Nadia Calviño, u takua me Kryeministrin shqiptar Edi Rama për të riafirmuar mbështetjen e bankës ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe reformave ekonomike të vendit.
Kjo ishte vizita e parë e Calviños në Shqipëri që nga marrja e detyrës në vitin 2024 dhe vjen në një moment kur EIB planifikon të rrisë financimin për Shqipërinë me 60% krahasuar me vitin 2025. Institucioni bëri të ditur se investimet do të fokusohen në infrastrukturë, energji, klimë dhe transformim digjital.

Një nga njoftimet kryesore të vizitës ishte përzgjedhja e Shqipërisë si përfituesja e parë e Mekanizmit për Inovacion dhe Transformim të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja fillestare prej 20 milionë eurosh u nënshkrua mes EIB dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe do të ofrojë financime me kushte të favorshme për SME-të dhe kompanitë Mid-Cap që investojnë në inovacion, përmirësime digjitale dhe modele të qëndrueshme prodhimi.
“Si motor investimesh për procesin e anëtarësimit në BE, Grupi EIB mirëpret progresin mbresëlënës të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të mbështesë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Calviño gjatë vizitës.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi EIB si një partner strategjik pas disa prej projekteve më transformuese në Shqipëri dhe e lidhi bashkëpunimin drejtpërdrejt me ambiciet europiane të vendit.
Mekanizmi rajonal përfshin 170 milionë euro kredi nga EIB, 17 milionë euro grante investimi nga BE dhe asistencë teknike shtesë për të forcuar ekosistemin e inovacionit në biznes në Ballkanin Perëndimor.

