Rregullat e reja të Bashkimit Europian, të drejtuara ndaj platformave të qiradhënies afatshkurtër si Airbnb dhe Booking.com, pritet të ndikojnë ndjeshëm në sektorin e turizmit dhe akomodimit në Kroaci, ku qiratë private luajnë një rol të rëndësishëm në ekonomi. Rregulloret synojnë të përmirësojnë shkëmbimin e të dhënave, të forcojnë mbikëqyrjen dhe të adresojnë shqetësimet që lidhen me disponueshmërinë e banesave dhe akomodimin e paregjistruar.
Sipas kuadrit të ri, platformat online të qiradhënies do të detyrohen të ndajnë të dhëna kryesore me autoritetet kombëtare, përfshirë informacionet për pritësit dhe pronat e listuara.
Zyrtarët e BE-së thonë se masat synojnë të krijojnë më shumë transparencë në të gjithë sektorin dhe t’u ndihmojnë pushteteve lokale të zbatojnë më me efektivitet rregullat e turizmit dhe të taksave.
Ndryshimet mund të kenë ndikim të ndjeshëm në Kroaci, një nga ekonomitë europiane më të varura nga turizmi, ku qiratë afatshkurtra janë zgjeruar me ritëm të shpejtë vitet e fundit, veçanërisht përgjatë bregdetit të Adriatikut. Vëzhguesit e industrisë presin që rregullat e reja të rrisin detyrimet administrative për pritësit, por edhe të nxisin rregullim më të fortë të tregut në rritje të akomodimit digjital.

