Ajo u zgjodh me votat e 81 deputetëve, pasi kryeministri Albin Kurti e propozoi si kandidate në orët e vona të 6 tetorit. Betimin e dha pak pas mesnatës, vetëm pak minuta pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Shiroka Pula është ekonomiste dhe akademike, e cila që nga viti 2025 drejton Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës*. E lindur në Prishtinë në vitin 1953, ajo u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare në teorinë e zhvillimit ekonomik i përfundoi në Universitetin e Zagrebit. Më pas doktoroi në Universitetin e Prishtinës dhe kreu studime postdoktorale në Austri dhe Shtetet e Bashkuara.
Karriera e saj përfshin punën akademike, shërbimin publik dhe politikën. Ajo ka punuar në Bankën Kombëtare të Kosovës* dhe më vonë ka mbajtur poste të larta në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve.
Nga viti 2008 deri në vitin 2011 ishte ministre e Energjisë dhe Minierave në qeverinë e Hashim Thaçit, ndërsa nga viti 2011 deri në vitin 2014 ishte deputete e Partisë Demokratike të Kosovës* (PDK). Gjithashtu ka përvojë bashkëpunimi me organizata joqeveritare që merren me fuqizimin e grave, barazinë gjinore, biznesin dhe sipërmarrjen.
Në fjalimin e saj të parë si presidente, Shiroka Pula deklaroi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe u zotua të angazhohet për unitetin, drejtësinë, zhvillimin dhe forcimin e institucioneve. Ajo theksoi gjithashtu orientimin euroatlantik. Zgjedhja e saj pasoi një marrëveshje politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit dhe PDK-së, e cila përfshinte edhe ndryshime në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës*. Kuvendi i miratoi këto ndryshime në një votim të veçantë po atë mbrëmje.


