Filmi “Vjetre, pričaj sa mnom”, një bashkëprodhim i Serbisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, u shpall filmi më i mirë në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve AFA, të mbajtur mbrëmjen e së shtunës në Porto Montenegro. Filmi me regji të Stefan Đorđević dhe producente Dragana Jovović fitoi edhe dy çmime të tjera, për regjinë më të mirë dhe filmin më të mirë debutues.

Çmimin për aktoren më të mirë në rol kryesor e fitoi Noomi Rapace për interpretimin në filmin “Mother”, me regji të Teona Strugar Mitevska, ndërsa Andrija Kuzmanović u shpall aktori më i mirë në rol kryesor për filmin “Yugo Florida” të Vladimir Tagić. Çmimi për talentin në ngjitje iu dha Arif Jakup për rolin në filmin “DJ Ahmet”, ndërsa Hana Jušić fitoi çmimin për skenarin më të mirë për filmin “God Will Not Help”.
Në kategoritë televizive, seriali nga Bosnja dhe Hercegovina “Kotlina”, i krijuar nga Amra Bakšić Čamo dhe Danis Tanović, fitoi çmimin për serialin më të mirë.

Snežana Vidović dhe Feđa Štukan u vlerësuan për interpretimet më të mira në role kryesore, duke i siguruar serialit gjithsej tri çmime.
Për herë të parë këtë vit u nda edhe çmimi për sukses të jashtëzakonshëm në shpërndarjen kinematografike, i cili iu dha filmit “Svadba” të regjisorit Igor Šeregi, për të ardhurat më të larta nga shitja e biletave në kinema.

Më shumë se 800 anëtarë të Akademisë së Filmit dhe Televizionit të Rajonit të Adriatikut morën pjesë në përzgjedhjen e kandidatëve dhe fituesve. Akademia bashkon profesionistë të industrisë së filmit dhe televizionit, ndërsa ndër festivalet themeluese të saj janë Festivali i Filmit në Sarajevë, Festivali i Filmit në Zagreb dhe Festivali i Filmit Autorial në Beograd.
Ceremonia në Mal të Zi mblodhi përfaqësues të industrisë rajonale të filmit dhe televizionit, duke vënë në pah bashkëpunimin dhe prodhimet e përbashkëta ndërmjet vendeve të rajonit.


