Programi do të zbatohet gjatë dhjetë viteve përmes një Qasjeje Programatike Shumëfazore, ndërsa pritet të marrin pjesë edhe partnerë të tjerë zhvillimorë dhe përfaqësues të sektorit privat. Prioritetet përfshijnë eliminimin e pengesave në transmetimin e gazit, përmirësimin e infrastrukturës së depozitimit nëntokësor të gazit dhe forcimin e kuadrit rregullator dhe të planifikimit në përputhje me anëtarësimin e ardhshëm të Serbisë në BE.
Sipas Bankës Botërore, gazi natyror do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm gjatë tranzicionit energjetik të Serbisë, ndërsa vendi redukton gradualisht varësinë nga qymyri dhe produktet e naftës dhe rrit përdorimin e burimeve alternative dhe të rinovueshme të energjisë.
Institucioni tha se programi pritet të sjellë përfitime për familjet, bizneset, konsumatorët industrialë dhe sistemet e ngrohjes qendrore në të gjithë Serbinë.
Faza e parë do të marrë 170 milionë euro, ekuivalente me 195.5 milionë dollarë, për të përmirësuar sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me gaz, duke nisur me gazsjellësin kryesor Trupale–Pojate. Faza fillestare do të mbështesë gjithashtu zhvillimin e kapaciteteve organizative, institucionale dhe teknike në sektorin e gazit të Serbisë.


