Kuvendi i Malit të Zi ka nisur procesin e ndryshimit të Kushtetutës, pasi qeveria dhe një pjesë e opozitës arritën marrëveshje me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ndryshimet kushtetuese konsiderohen ndër kushtet e fundit politike për mbylljen e kapitujve kyç të negociatave të anëtarësimit në BE dhe pritet të përfundojnë deri më 4 shtator 2026.
Marrëveshja u arrit pas disa muajsh bllokimi politik, gjatë të cilëve opozita refuzonte të mbështeste ndryshimet për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me Ligjin për Punët e Brendshme dhe Ligjin për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (ANB).
Sipas marrëveshjes, të dy ligjet do të miratohen deri më 31 korrik dhe do të krijohet një organ i posaçëm për monitorimin e zbatimit të tyre. Për ndryshimin e Kushtetutës nevojiten të paktën 54 vota, mbështetje që tani pritet të sigurohet me votat e një pjese të opozitës.

Kryeministri Milojko Spajić e përshëndeti vendimin e parlamentit, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes evropiane të vendit. “Përshëndesim vendimin e pothuajse të gjithë deputetëve për të nisur procesin e ndryshimit të Kushtetutës, një nga hapat e fundit në negociatat me BE-në. Së bashku drejt një qëllimi historik,” deklaroi ai. Vetëm tre deputetë të Partisë Demokratike Popullore (DNP) votuan kundër.

